TË JESH NGA TË GUXIMSHMIT NË KËTË RAMAZAN

Para disa viteve gjatë përfundimit të këtij muaji të bekuar një mikja ime e dashur e përshkroi këtë muaj me fjalë të cilat akoma më rrinë ndërmend. Ajo tha, se “Ramazani është një medrese”.  Më tha vetëm kaq, pra, se Ramazani është shkollë. Mendova shumë për fjalët e saj. Prej të gjitha atyre konkluzioneve tek të cilat më shpien mendimet e mia veçoj atë se nëse Ramazani është shkollë, atëherë agjërimi duhet të jetë mësuesi më i mirë i kësaj shkolle. Vërtetë agjërimi është mësues që rrit dhe edukon nxënësit mbi parimet e zhvillimit të një vullneti të fortë. Një vullnet, i cili duhet të të çojë në synimin e drejtë. Por këtij vullneti i duhen figura të guximshme për ta kryer atë.

Shumë prej nesh kanë vullnet të fortë për të bërë vepra të mira, por jo të gjithë ne e shfrytëzojmë atë. Kjo është e dukshme në atë se sa shumë të mira vijnë nga njerëzit në Ramazan. Rreshtat (safat) e xhamive janë të mbushura, ndërsa për njerëzit është e lehtë ta shpërndajnë pasurinë e tyre të dashur. Për këtë arsye pra, ata kanë vullnet, por mund të kenë mungesë guximi për ta vënë këtë në praktikë gjithmonë.

Kthehu të vetja jote, nëse mendon se ke një vullnet të fortë vazhdimisht, bëhu mirënjohëse ndaj Allahut dhe le të jetë Ramazani një mundësi për ta përforcuar atë. Nëse jo, atëherë le të jetë Ramazani një mundësi për ta zhvilluar një vullnet të fortë. Të jesh më e guximshme këtë muaj, është të përfitosh e mos të jesh prej atyre që u vjen keq pasi të shkojë ky muaj. Të jesh e guximshme është të marrësh vendimet e duhura në kohën e duhur. Të jesh e guximshme është të kërkosh kënaqësinë e Allahut pa marrë parasysh atë që thonë ose mendojnë njerëzit.

Le ta kthejmë vëmendjen te një shembull tek ata që u kërkohej të marrin vendime të rëndësishme në kohë vendimtare, por nuk mundën. Xhaxhai i Pejgamberit tonë, sal-lallahu alejhi ue selam, Ebu Talibi është në shtratin e tij të vdekjes. Krijesa më e mirë e Allahut është pranë tij, duke e lutur atë ta pranojë të Vërtetën. Ai sal-lallahu alejhi ue selem i thotë: “Xhaxhi im! Duhet të dëshmosh se nuk ka të adhuruar zot të vërtetë përveç Allahut, që të kem një argument për ty para Allahut”.

Një moment i vështirë. Ndërsa dy armiqtë Ebu Xhehli dhe Abdullah ibn Abi Umajah ishin ulur aty afër. Ata vazhdonin duke ia përsëritur ato fjalë helmuese e duke i thënë: “Ebu Talib! A do ta braktisësh fenë e `Abdul Mutalibit?!… Kurse Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selam, vazhdimisht ia përsëriste atë fjalë, që do ta shpëtonte atë nga dënimi i përjetshëm, gjithmonë nëse do Allahu.

Koha është për të marrë një vendim përfundimtar, por ai e refuzon. Ai refuzon të pranojë La ilahe il-Allah. Sa e hidhur është kjo që ai mos të jetë në mesin e guximtarëve. Ai nuk mundi ta marrë atë vendim që ishte heroik. Ai kishte frikë prej popullit të tij. Tani hapja sytë jetës tënde, e cila gjendet në duart e tua. Muaji më i mirë do të bëjë një vizitë. Ka hapur dyert e tij të mëshirës dhe faljes, duke lypur nga ti për të hyrë. Kjo është një kohë e vështirë. Shejtanët janë të lidhur, por mbeten shejtanët e njerëzve rreth teje, të cilët të tërheqin nga çdo drejtim: “Është ok, kaloj sonte taravitë, do të bëjmë pak argëtim…”

Vendimi është në duart e tua për t’i lënë gjurmët e shejtanit, ndërsa drita e namazit të teravisë ka ndikim në tërë jetën tënde. Mos u bëj prej atyre që refuzojnë. Bëhu prej atyre nga më të guximshmit, të cilët luftojnë çdo dëshirë për të arritur qëllimet e larta (fisnike). Mos lejo që Ramazani të kalojë, ndërsa namazi yt është po i njëjti para dhe pas tij. Mos lejo të kalojë pa ndryshime pozitive në fjalët dhe vepra e tua. Përfundoji me dy hapa të rëndësishëm rrugën e arritjes së guximit e të trimërisë.

Së pari, forcoji marrëdhëniet e tua me Allahun subhanehu ue teala, Krijuesin tënd. Nëse i forcon marrëdhëniet e tua më Atë që është mbi qiej, atëherë asgjë nuk të brengos nga kjo botë. Përule veten para Tij, kërko falje për mëkatet e tua të kaluara. Dije se nuk je gjë tjetër pos një robëreshë e thjeshtë dhe Ai është Zoti, Sunduesi. Dije se ti ke nevojë për ndihmën e Atij dhe ke nevojë për të të ndihmuar që të arrish suksesin. Pa ndihmën e Tij, nuk do të jesh në gjendje, as të agjërosh, apo të falesh në këtë muaj të bekuar. Pra, përpiqu ta arrish kënaqësinë e Tij dhe t’i drejtohesh Atij për çdo nevojë tënden.

Së dyti, forcoji marrëdhëniet e tua me Krijuesin, duke filluar me zemrën tënde. Le të agjërojë edhe zemra jote gjithashtu. Le të agjërojë nga urrejtja, zilia dhe gjërat e mbrapshta kundrejt besimtarëve. Kur Shejtani të pëshpërit diçka të keqe për besimtarin, poshtëroje guximshëm atë me një buzëqeshje të madhe në fytyrën e besimtarit. Ki një vullnet të fortë, që çdo natë të shkosh në shtrat më një zemër të pastër. Nëse zemra jote është e pastër ndaj besimtarëve, atëherë gjymtyrët e tua do të jenë të pastra në veprimet me ta.

Së fundi, kujtoje gjithmonë hadithin e Pejgamberit tonë: “Është i dështuar ai, të cilit i vjen dhe i shkon Ramazani, ndërsa atij nuk i falen gjynahet”. (Tirmidhiu, 3545, i klasifikuar si sahih nga Albani në Sahihin e Tirmidhiut). Të jesh e falur këtë Muaj është të lejosh që guximi yt të vijë së bashku me ty edhe jashtë kësaj “shkolle”. Të kesh në zemër agjërimin, në gjuhë dhe në gjymtyrë edhe pasi ta prishësh agjërimin. Kjo është trimëri e guxim. Allahu na dhëntë bereqet në këtë muaj të bekuar dhe na bëftë nga të drejtët dhe të suksesshmit.

nga anglishtja: Drita Maliqi