Si jepet zeqati i rrogave?

Pyetje: Unë banoj në perëndim dhe për çdo muaj marr rrogë, prej asaj rroge kursej për çdo muaj e nuk po di se qysh me e nda zeqatin?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Zeqati i të hollave, arit, argjendit dhe mallit të tregtisë për tu bërë farz duhet t’i plotësojë dy kushte:

1. të arrijë vlerën e caktuar (nisabin) e cila është 85 gram ar ose 595 gram argjend. Atë vlerë që e arrin së pari, konsiderohet që e ka arritur vlerën e caktuar. P.sh. nëse 85 g. ar kanë vlerën 2000 euro, ndërsa 595 g. argjend 450 euro, atëherë nisabi i të hollave dhe mallit të tregtisë është është 450 eu.

2. ato të holla të mos bien nën atë vlerë një vit të plotë hënor. P.sh. nëse tash në muajin Xhumadel Ula zotëron 500 euro dhe deri në muajin Xhumadel Ula të vitit të ardhshëm kjo vlerë shtohet deri në 3000 euro, atëherë zeqati është 2.5% nga shuma e përgjithshme, përkatësisht 75 euro.

Kurse sa i përket të hollave nga rroga, ato, ose mund të harxhohen krejtësisht në fund të muajit ose mund të mbesin çdo muaj aq sa të arrijë vlerën e nisabit (d.m.th. 450 euro).

Nëse harxhohen krejtësisht ose mbesin më pak sesa vlera e nisabit, atëherë nuk duhet të jep zeqat për atë vlerë.

E nëse rregullisht arrin të kursejë aq sa është vlera e nisabit apo më shumë, atëherë mund të jep zeqat për atë sasi që i ka mbetur, p.sh. nëse çdo muaj i mbesin nga 500 euro, atëherë ai mund të jep zeqat çdo muaj nga 12.5 euro. Ky quhet zeqat i parakohshëm dhe dijetarët e kanë lejuar.

Por sipas dijetarëve, më e lëvduara është që zeqati të jepet pasi të plotësohet viti, duke e llogaritur kohën që nga momenti kur arrin vlerën e nisabit e deri pas një viti, kur njehson shumën e kursimeve nga rroga dhe të ardhurave tjera e prej shumë së përgjithshme nxjerrë 2.5% zeqat. Kjo është më e lëvduar sepse nxjerrja e një shume më të madhe fiton koprracinë dhe e ndihmon më shumë atë që e meriton zeqatin. Allahu e di më së miri.