SHBA sjell mesazh të fortë për ushtrinë e Kosovës

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, po qëndron sot në Prishtinë. Takimin e parë e ka realizuar me Presidentin Hashim Thaçi në Aeroportin e Sllatinës ku edhe ka dërguar një mesazh të fortë për ushtrinë. Ai ka theksuar se askush s’mund të vë veto ndaj transformimit të ushtrisë.

Mitchell ka thënë se gjatë bisedës që ka zhvilluar me presidentin Hashim Thaci, theks të veçantë i ka vënë fushës së sigurisë në Kosovës dhe bashëkpunimin me SHBA’në.

Ndihmës Sekretari Amerikan ka thënë se janë diskutuar edhe ndryshimet kushtetuese, sipas të cilave mendohet të bëhet transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri.

“Folëm për ndryshimet kushtetuese dhe e theksova para Presidentit se askush nuk ka të drejtë të vë veto mbi sigurinë e Kosovës”, ka thënë Mitchell.

Kur është pyetur nëse kjo ka të bëjë me Listën Srpska, Mitchel ka qenë direkt.Ka përmendur Beogradin.

“SHBA ka qenë mbështetëse shumë e ngushtë e transformimit të FSK’së dhe ne do ta vazhdojmë ta mbështesim këtë transformim në të gjitha nivelet. Mendoj se miqtë tanë në Beograd janë shumë të njoftuar me pozicionin e Amerikës dhe do ta përsëris këtë edhe në Beograd” ka thënë Mitchel.

Ai po ashtu ka mohuar raportimet e mediave serbe se ai ka ardhur me një plan për Kosovën të cilën do t’ia shpaloste presidentit serb Aleksander Vuciq.

Mitchell ka mohuar se ka ardhur në Ballkan për një plan specifik, ndërsa ka treguar se po qëndron ne Prishtinë për një plan të përbashkët të së ardhmes së Kosovës dhe Serbisë në BE.