Qëndrimi i Islamit rreth mbarsimit artificial

Një nga objektivat më të rëndësishme të martesës është lënia e pasardhësve dhe ruajtja e llojit njerëzor.

Derisa bashkimi ndërmjet çifteve (mashkullit dhe femrës) te krijesat e tjera nuk ka ndonjë ligj, dëshira e Allahut ishte që shumimi dhe bashkimi ndërmjet mashkullit dhe femrës te njeriu mos të jetë pa kurfarë rregulli dhe dispozite. Kështu që t`i lejojë njeriu vetes së tij t`i paraprijë epshi në realizimin e këtij qëllimi. Urtia e Allahut ishte që tu vendosë atyre ligje, dispozita dhe norma në realizimin e synimit, në të njejtën kohë edhe ruajtja e nderit, fisnikërisë dhe krenarisë së njeriut, si krijesë më e përsosur.

Kështu, Allahu i Lartësuar e bëri lidhjen ndërmjet burrit dhe gruas, lënien e pasardhësve, gjë të shenjtë dhe fisnike e ndërtuar me pëlqim nga të dy anët dhe harmonisë së ndërsjelltë.

Prandaj, çdo formë tjetër e bashkimit që nuk i nënshtrohet kësaj,, konsiderohet e paligjshme dhe e ndaluar.

Ajo që konsiderohet e re për kohën bashkohore në fushën e mjekësisë, është aplikimi i mbarsimit artificial, që kohëve të fundit po zgjon interesim të madh, posaçërisht tek ato çifte që u mbetet pak shpresë për tu bërë prindër.

Të paktën 78 mijë procedura të tilla u kryen në SH.B.A në vitin 1999 dhe tani ky numër ka arritur maksimumin.

Kurse sa i përket vendit tonë disa media të informimit kanë deklaruar se është filluar realizimi i kësaj teknike në disa klinika shtetërore dhe private si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë.

Ne në vazhdim do të mundohemi ta qartësojmë qëndrimin e Islamit rreth këtyre teknikave.

Mbarsimi artificial

Mbarsimi artificial është një teknikë e re me anë të të cilit bëhet lindja e fëmijëve në një formë jo të zakonshme. Kjo formë jonormale njihet me disa terma: mbarsim artificial, fekondim artificial, fertilizim në epruvetë etj.

Fëmijët që lindin në këtë metodë quhen fëmijë të epruvetës, për arsye se mbarsimi i vezores së femres me spermën e mashkullit bëhet në epruvetë në vend të mitrës.

Për të kuptuar qëndrimin e Islamit rreth mbarsimit artificial, duhet të dimë se ajo mundet të jetë në disa metoda, vetëm dy nga metodat që mund të aplikohen janë të lejuara.

Metodat e mbarsimit artificial

1.Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë dhe pasi të bëhet mbarsimi, të mbillet në mitrën e të njejtës grua.

2.Të merret sperma e burrit dhe me anë të injeksionit të bëhet vendosja e saj në mitër të gruas që ka kurorë me të dhe të bëhet mbarsimi i brendshëm.

3.Të bëhet mbarsimi duke e marrë spermen nga burri dhe të merret vezorja nga ndonjë grua e këta të dy nuk kanë kurorë (nuk janë njëri me tjetrin të martuar), pastaj të bëhet mbjellja e mbarsimit në mitrën e gruas tjetër që gjendet në kurorë me burrin nga i cili kemi marrë spermën.

4.Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që nuk kanë martesë mes tyre, pastaj të mbillet ai mbarsim në mitrën e po të njejtës grua.

5.Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë, pastaj mbarsimi të mbillet në mitrën e ndonjë gruaje tjetër.

6.Të bëhet mbarsimi duke marrë spermën nga një njeri i huaj dhe vezoren nga një grua e huaj dhe të mbillet ai mbarsim në mitër të gruas.

7.Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë dhe të bëhet mbjellja e atij mbarsimi në mitër të gruas tjetër e që ajo grua të jetë njëkohësisht edhe grua e dytë e të njejtit burrë.

Qëndrimi i sheriatit rreth këtyre metodave

Në takimin që ka mbajtur kolegiumi i fikhut islam në kongresin e tretë në Aman prej datës 08 deri më 12 të muajit Sefer të vitit 1407 h. apo 1986 rreth qështjes së metodave të mbarsimit artificial vendosi:

-Pesë format e fundit të lartpërmendura të gjitha janë të ndaluara, haram, për shkak të vetëprocesit të tyre dhe asaj që të shpie në përzierjen e pasardhësve dhe gjërave të tjera që kanë të bëjnë me të.

-Kurse metodën e parë dhe të dytë kolegiumi e pa të lejuar dhe nuk panë ndonjë pengesë për praktikimin e tyre nga ana e çifteve, në rast të nevojës.

-Gjithashtu, kolegiumi tërheq vërejtjen e marrjes parasysh të gjitha domosdoshmëritë e nevojshme për t`iu larguar ndonjë mundësie të përzierjes së metodave të tjera pa dijen e tyre

Fëmijët që lindin me metodat e lartpërmendura

Fëmijët që lindin me metodën e parë dhe të dytë konsiderohen si fëmijë legjitim sipas sheriatit dhe ata kanë po të njejtat të drejta si fëmijët e zakonshëm, si trashëgimia etj.

Kurse fëmijët që lindin nga aplikimi i pesë metodave të fundit të lartpërmendura në Islam konsiderohen fëmijë jolegjitim dhe dispozita rreth tyre është e njejtë sikurse fëmijët e zinasë ( që lindin nga burri dhe gruaja që nuk kanë kurorë ).

Përgatiti: Alaudin Abazi