Pakistani pajiset me 16 avionë të rinj luftarakë

KARACHI (AA) – Forca Ajrore e Pakistanit (FAP) ka pranuar të enjten dërgesën prej 16 avionësh të rinj luftarakë JF-17, raporton Anadolu Agency (AA).

Fluturaket e reja janë marrë në vazhdën e përpjekjeve të Pakistanit për të modernizuar flotën e saj ajrore dhe për të garuar me Forcat Ajrore të Indisë (FAI) të cilat kanë mbi 2.000 fluturake, krahasuar me forcën aktuale të Pakistanit prej 920 avionë dhe helikopterë.

Ministri i Mbrojtjes, Khawaja Asif dhe kreu i FAP-së, marshali Sohail Aman, mbykëqyrën nga afër ceremoninë e pranimit të avionëve e cila u mbajt në bazën ajrore Kamra në provincën Punjab.

Para dërgesës së fundit, Pakistani kishte mbi 70 avionë të tipit JF-17, të cilët për herë të parë u futën në sistemin ajror të vendit në vitin 2009.

Avionët me një motor, janë prodhuar në bashkëpunim mes Kinës dhe Pakistanit dhe secili mund të mbajë municion me një peshë prej 3.630 kilogramë, ndërkohë që mund të zhvillojë një shpejtësi prej 2.200 kilometra në orë me një radius të luftimit prej 1.350 kilometrash.

Gjatë këtij viti Pakistani pritet të pranojë edhe katër helikopterë luftarak Mi-35 që janë prodhim rus.