Nga Amir B. AHMETI: Shpifja mediatike, kjo prirje e pështirë e disa gazetarëve

Nuk është hera e parë që shkruaj për etikën në mediat e shkruara dhe elektronike tek ne, por kësaj here nuk do të merrem me terrorin që disa prej tyre na bëjnë ne muslimanëve në Kosovë. Këtë herë po shkruaj një opinion timin për rastin e fundit, që lidhet me kërkesën e ambasadës turke në Prishtinë për zbatimin e ligjeve kosovare.

Edhe vetë kam qenë cak i disa gazetarëve dhe mediave dashakeqe, që famën e kërkojnë duke shpifur dhe dezinformuar opinionin. Disa herë e kam ftuar prokurorinë e shtetit në Kosovë, dhe atë publikisht, që ex officio të merren masa për mediumet dhe gazetarët që keqinterpretojnë dhe e keqinformojnë publikun, por edhe për shpifjet, linçimet, ofendimet dhe deklaratat e mosdurimit fetar e racor, që disa prej këtyre gazetarëve i kanë bërë vazhdimisht ndaj besimtarëve muslimanë, duke u fshehur gjithnjë pas provizionit kushtetues “liria e shprehjes”. Prokuroria, si zakonisht, asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme që të marrë masa.

Pasi i lexova lajmet bombastike se ambasadorja turke në Prishtinë ka kërkuar burgosjen e gazetarit Buzhala për arsyen se ky i fundit paska kritikuar Erdoganin, menjëherë shfletova shumicën e portaleve të lajmeve në Kosovë. Isha shumë i habitur se si ka mundësi që një ambasadore e huaj të kërkojë të burgoset një gazetar në një vend të huaj vetëm për arsyen se ai kritikon politikat e një shteti tjetër. Për këtë dhe desha të informohesha saktë. Shfletova shumë portale, por askund nuk e gjeta se Buzhala po kërkohej të arrestohej pse paska kritikuar Erdoganin. Në fund, në një portal të lajmeve të Tiranës, e gjeta edhe tekstin origjinal të ambasadorës turke.

Habia dhe dyshimi im nuk zgjati shumë. Edhe këto lajme paskan qenë të të njëjtit lloj, shpifje meskine të disa islamofobëve të ashtuquajtur gazetarë, që tash lirisht mund t’i quajmë edhe Erdoganofobë.

Për ta sqaruar më shumë këtë shpifje mediatike, desha të ndaj me ju faktet e këtij komploti mediatik kundër ambasadores turke, apo më mirë të thuhet, kundër Turqisë, a edhe krejt më saktë, kundër Erdoganit.

Ambasadorja turke, në letrën drejtuar MPJ-së së Kosovës, e shpjegon arsyen e letrës ku implikon gazetarin Buzhala, i cili publikisht, natën e 15 korrikut, kur ndodhi një përpjekje për puç në Turqi, i ftoi qytetarët kosovarë që kanë rastisur atje të rreshtoheshin me ushtrinë puçiste kundër Erdoganit. Këtë ftesë të Buzhalës e kemi parë të gjithë që atë natë, ku ai dhe plot islamofobë të tjerë i gëzoheshin terrorit puçist që vriste qytetarët turq për t’i nënshtruar. Kurse vetë ftesa e Buzhales ka qenë me një emoji në fund të fjalës, duke lënë të kuptohet se po e thotë atë me satirë. E satira e tij shpesh edhe ta shpif. Si përfundim, ambasadorja turke i fton autoritetet kosovare që të merren masa ndaj gazetarit në fjalë në pajtim me ligjet kosovare, duke aluduar për ligjin nr. 05/L – 002: Për ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit”. Pak a shumë kjo është përmbajtja e letrës së ambasadores turke.

Atëherë, pse qenka problem për ne zbatimi i ligjeve tona, të cilat i ka miratuar Kuvendi i Kosovës? Pse qenka jodemokratike kur dikush na këshillon që të zbatojmë ligjet tona të cilat janë në fuqi? Pra, problemi nuk qëndron tek ambasadorja turke, por te vetë ato media që shpifën e dezinformuan se ambasadorja turke po përzihet në punët e brendshme të Kosovës. Janë të njëjtat pseudomedia dhe pseudogazetarë të cilët janë mësuar që t’i fyejnë besimtarët muslimanë në Kosovë me fjalët më denigruese dhe kurrë të mos japin llogari para gjyqësorit kosovar.

Të gjitha mediat në Kosovë e dinë se gati çdo Raport i Progresit që vjen nga BE-ja tërheq vërejtjen se Kosova ka infrastrukturë të mirë ligjore, por se ligjet nuk po zbatohen. Pra, kur një ambasador i një vendi mik na kujton se si shtet i ri që jemi duhet që ligjet të zbatohen në përpikëri për të ndërtuar një shtet të së drejtës, nuk e kuptoj pse duhet ta quajmë armiqësore këtë kujtesë. Për më shumë, kjo nuk është risi në Kosovë. Vazhdimisht ambasadorët e huaj në Kosovë ua tërheqin vërejtjen institucioneve tona në këtë pikë. Dhe tituj të tillë kemi pasur vazhdimisht në mediat tona, por askush nuk i ka quajtur jodemokratike, si për shembull: “Ambasadori Cliff, lavdëron ligjet, kërkon të zbatohen”, “Zhbogar kërkon zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, etj. etj. E mos të përmendin ndërhyrjen e ambasadave të huaja për shumë çështje, gjë që e dinë edhe nxënësit filloristë. Atëherë, pse kaq reagime të pështira për kërkesën e ambasadores turke në Prishtinë, e cila po kërkon të zbatohen ligjet e Kosovës?!

Këtë energji negative nga këta pseudogazetarë nuk e kemi parë e dëgjuar madje as dje, kur ambasadori rus në Beograd pa kurrfarë leje vizitoi Kosovën dhe tha: “Pala e Kosovës duhet të angazhohet që Marrëveshja të realizohet me qëllim që popullata serbe në Kosovë dhe Metohi të jetë e mbrojtur.” Ai kërkoi të zbatohet marrëveshja e asociacionit edhe përkundër mosmiratimit të saj ende në Kuvendin e Kosovës, e madje dhe duke e përbuzur emrin e shtetit tonë, duke i shtuar prapashtesën “Metohi”, sipas legjendave serbe.

Ku ishin këta gazetarë dje, për ta kritikuar ambasadorin rus, që sot me kaq mllef kritikojnë ambasadoren turke? Si nuk kanë turp?

Si përfundim, nëse mediat, dhe vetë Buzhala, e respektojnë shtetin turk siç i respektojnë dhe vendet e tjera mike të Kosovës, kishte me qenë mirë vetëm të sqarohej se ai postim në facebook ka qenë satirë dhe do të përfundonte gjithçka, por jo të derdhin lot krokodili se sa të vështirë e kanë profesionin. /tesheshi.com/