NDËRTIMI I XHAMIVE

Allahu i Madhëruar thotë: “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zeqatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.” (Teube 18.)

Othman ibën Afani, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se se e ka dëgjuar Profetin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Kush ndërton për hir të Allahut një xhami, Allahu do t’i ndërtojë atij një të tillë në Xhenet.”

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Veprat dhe gjurmët e mira që i takon besimtari pas vdekjes së tij janë: dija që ia ka mësuar dikujt dhe e ka shpërndarë, pastaj fëmijën e mirë që e ka lanë dhe bën dua për të, pastaj musafin që ia ka trashëguar ndokujt, apo xhamin çka e ka ndërtuar, apo strehimoren që e ka ndërtuar për udhëtarët dhe kalorësit, apo lumin të cilin e ka hapur, apo lëmoshën që e ka dhënë prej pasurisë së tij, duke qenë i gjallë dhe me shëndet të mirë, të gjitha i takon pas vdekjes së tij.”

Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me shokët punonin bashkërisht në ndërtimin e xhamisë së tij. Ebu Se’id, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, për ndërtimin e xhamisë së Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përcjell dhe thotë se ne e bartnim nga një qerpiç, kurse Amar ibën Jasiri i barte nga dy, dhe kur e vërejti Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e shkundi pluhurin nga ai dhe tha: “Mjerë për Amarin, do të vritet nga pala zullumqare, ai i thërret për në Xhenet e ata e thërrasin për në Xhehenem”; e Amari thoshte: Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga fitnet.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU