Kurtulmuş: Askush nuk ka forcë që do të ndalojë ezanin

Zëvendës kryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmuş e ka vlerësuar si të papranueshëm nismën për ndalimin e ezanit në Izrael duke shtuar se kjo do të ishte shkelje e paprecedent e të drejtave fetare dhe përdhosje e identitetit shumëshekullor të Jerusalemit, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një vizite në studion filmike në Koxhaeli, ku po xhirohet një serial për sulltanin Abdulhamid, Kurtulmuş komentoi edhe propozim ligjin për ezanin në Izrael, i cili sot do të jetë në seancë të Parlamentit (Knesset) izraelit.

“Propozimi i ligjit në formën aktuale është tërësisht i papranueshëm”, tha Kurtulmuş.

Duke theksuar se Jerusalemi është qendër e të tre feve më të mëdha monoteiste, Kurtulmuş tha se katër shekuj askush nuk e kundërshtoi dhe nuk kufizoi tjetrin në kryerjen e riteve fetare.

“Nëse propozimi të cilin e miratoi komisioni parlamentar kalon edhe në seancë parlamentare, do të paraqesë goditjen më të madhe për të kaluarën dhe identitetin e Jerusalemit”, tha Kurtulmuş.

Zëvendës kryeministri i Turqisë tha më tej se një veprim i tillë i Izraelit do të ishte njëkohësisht edhe një veprim katastrofal i Tel Avivit zyrtar.

“Jemi të vetëdijshëm se Lindja e Mesme paraqet një derë për vendosjen e paqes globale, por paqja në Palestinë është çelësi për këtë derë. Vendimi për të ndaluar ezanin nga ana e Izraelit nuk i kontribuon paqes në Palestinë, por do të jetë një veprim plotësisht i gabuar. Shpresojmë që Parlamenti izraelit nuk do të miratojë një gjë të tillë por pa marrë parasysh se si kjo do të përfundojë, unë dua të deklarojë qartë se askush nuk ka aq shumë fuqi për të heshtur zërin e ezanit”, tha Kurtulmuş.

Me pretekstin se qytetarët ankohen për zhurmën e krijuar, autoritetet izraelite përgatitët një propozim ligj me të cilin synonin ndalimin e zërit të ritualeve fetare, por kur kuptuan se kjo do të ndalojë edhe ritualet hebreje, politikanët izraelitë i bënë revizion propozim ligjit duke e ndryshuar me një ndalesë prej orës 23 deri në ora 7 të mëngjesit.

Propozimi është në procedurë parlamentare dhe në versionin e fundit ndalon ezanin gjatë lutjeve të mëngjesit.

Zbatimi i këtij projekti kërcënon xhamitë me një gjobë prej 1.200 dollarë nëse nuk respektojnë ndalimin./AA