KURAJO PËR PENDIM

O ti që asnjë sexhde nuk e ke bërë për Allahun, ke frikë Allahun e pendohu, pendohu para se të mbyllen dyert e pendimit, pendohu para se të vijë vdekja. O ti që asnjë sexhde nuk e ke bërë për Allahu, dyert e pendimit janë hapur gjatë ditës dhe natës, nxito e pendohu. Allahu shtrinë dorën e Tij natën për të falur mëkatarin e ditës dhe shtrinë dorën e Tij ditën për të falë mëkatarin e nates. 

Nxito dhe mos e humb këtë mirësi të madhe nga Zoti i botërave. Pendohu dhe dorëzoju Allahut tënd, do të jetosh i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër do të jesh prej banorëve të Xhenetit, bukurinë e të cilit nuk ka sy që e ka parë, as vesh që ka dëgjuar e as mendje nuk e ka kapur. 

Kapu fort për litarin e Allahut, litar që nuk këputet asnjëherë dhe që do të shpëtojë atëherë kur t’i ke nevojë më së shumti. Mos u kap për perin e dynjasë, se atë e këpusin gërshërët më të dobëta. Pendohu e mos lejo që mëkatët të nxijnë zemrën tënde, e më pas të bëhet zemër që nuk i frikësohet Allahut, nuk pranon këshillën e as që merr mësim.

Dije se për çdo mëkat të vendoset një pikë e zezë në zemër, atëherë sa më pak mëkate aq më pak pika të zeza në zemër. Mos e dëno zemrën tënde me vazhdimësinë e mëkateve. Pendohu dhe mos u mashtro pas kënaqësive falso të kësaj botë. Kjo botë tek Allahu nuk ka peshë as sa një krah i mushkonjës. Andaj mos lejo që kjo vogëlsirë të hutojë, por përpiqu që përmes saj të fitosh Xhenetin.


Pendohu tek Allahu, kapu dhe hip në karavanin e të penduarve, e assesi mos hip në karavanin e mëkatarëve dhe atyre që kanë hidheruar Allahun, e që si rrjedhojë do të marrin dënimin e Tij. Pendohu tek Allahu, i cili pas pendimit tënd shndërron mëkatet e të kaluarës tënde të hidhur në punë të mira. Pendohu tek Allahu para se të arrijë vdekja papritmas, para se të arrijë shpirti në fyt, sepse atëhere ka mbaruar puna yte dhe nuk pranohet pendimi yt.

Pendohu e mos thuaj nuk është krijuar zjarri vetëm për mua, pendohu vëlla/motër dhe shpreso në falje. Vërtetë Allahu është falës dhe e don faljen. Pendohu e mos u dëshpëro nga meshira e Allahut, por as mos u siguro nga dënimi i Allahut. Pendohu e mos dëgjo djallin e mallkuar që ka për qëllim dhe detyrë devijimin dhe mashtrimin e njerëzve. Le të jetë pendimi një fillim i mbarë për ty!

Shkroi: Hoxhë Valdet Kamberi