Kur dhe si bëhet sehvi-sexhdeja?

Pyetje: Es-selamu alejkum i nderuari hoxhë, si duhet të veproj nëse  kam lën mangu diçka në namaz? Kam lexuar se ish e nevojshme të bëhet sehvi sexhdja, mirëpo nuk e kam të qartë që sehvi sexhdja a duhet të bëhet pasi ta themi ettehijatin menjëherë  apo pasi ta themi ettehijatin me duatë? Po nëse kam shtuar diç në namaz, kur duhet ta bëj sehvi sexhden? Allahu të nderoftë!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Sehvi sexhdja apo sexhdeja e harresës është detyrim për gjithçka që sikur të bëhej me qëllim do ta prishte namazin. Nga këtu, kuptojmë që nëse njeriu len ndonjë nga ruknet (farzet) apo vaxhibete namazit, ose shton diçka në namaz me qëllim, atëherë namazi i tij prishet dhe nuk përmirësohet me asgjë, përveçse me pendim dhe përsëritje të atij namazi. Kurse nëse bën ndonjë nga gabimet e lartpërmendura pa qëllim, atëherë ajo mund të përmirësohet me sehvi sexhde, duke i pasur parasysh rregullat që do t’i përmendim në vijim:

1. Nëse namazliu harron ndonjë nga ruknet e namazit, sikurse tekbirin fillestar, leximin e Fatihasë, rukunë, ndonjë nga sexhdet apo diç tjetër, atëherë përmirësimi bëhet kësisoj:

– nëse ka harruar tekbirin fillestar d.m.th. shqiptimin e “Allahu Ekber”, atëherë namazin duhet ta falë nga fillimi.

– nëse ka harruar ndonjë nga ruknet tjera, dhe i kujtohet ende para se të arrijë në të njëjtën pjesë të rekatit tjetër, atëherë duhet të kthehet te rukni i harruar p.sh. nëse ka harruar kijamin(qëndrimin në këmbë) pas rukusë dhe ka shkuar drejt në sexhde, i themi ngritu menjëherë, qëndro në kijam sa për të thënë: Rabbena ue lekel hamd, pastaj vazhdo namazin deri në fund, lexoje ettehijatin dhe duatë tjera, jep selam në të djathtë, e pastaj i bën dy sexhde (kjo është sehvi sexhdja në rast shtese), dhe jep selam në të djathtë dhe në të majtë. Kështu përfundon namazi.

– nëse ka harruar një rukn dhe i kujtohet pasi ka mbërritur në të njëjtën pjesë të rekatit vijues, atëherë rekatin e kaluar e konsideron të pavlefshëm dhe vazhdon namazin prej aty ku është, p.sh. nëse ka harruar kijamin pas rukusë, dhe në rekatin tjetër kur ka mbërritur te kijami pas rukusë i është kujtuar se këtë nuk e ka bërë në rekatin paraprak, atëherë rekati i parë mbetet i pavlefshëm ndërsa namazin e vazhdon prej rekatit aktual e deri në fund, kur do të lexojë ettehijatin dhe duatë tjera, jep selam në të djathtë, e pastaj i bën dy sexhde (kjo është sehvi sexhdja në rast shtese), dhe jep selam në të djathtë dhe në të majtë. Kështu përfundon namazi.

– nëse ka harruar një rukn dhe i kujtohet pasi ka përfunduar namazin, atëherë i themi që nëse ai rukn ka qenë jo i rekatit të fundit, ai duhet të ngrihet dhe ta falë një rekat të plotë, por nëse ai rukn ka qenë i rekatit të fundit, ai duhet ta përsërisë rekatin nga pjesa e harruar e deri në fund të rekatit p.sh. nëse ka harruar kijamin pas rukusë në rekatin e tretë në jaci dhe kjo i kujtohet pas namazit, ai duhet të ngrihet ta falë një rekat të plotë dhe pas ettehijatit dhe duave të jep selam, të bëjë dy sexhde dhe prapë të jep selam, por nëse ka harruar kijamin pas rukusë në rekatin e katërt në jaci dhe kjo i kujtohet pas namazit, ai duhet të ngrihet në kijam, të thotë rabbena ue lekel hamd dhe kështu ta falë rekatin deri në fund dhe ta bëjë sehvi sexhden njëjtë sikur në rastin paraprak.

2. Nëse ka harruar një vaxhib, dhe i kujtohet pasi të kalojë te pjesa tjetër e namazit, si p.sh. nëse harron të thotë “rabbigfirli” dhe i kujtohet pasi të shkojë në sexhde, ai duhet të vazhdojë namazin deri në fund dhe pasi të lexojë ettehijatin dhe duatë tjera, duhet të bëjë dy sexhde (kjo është sehvi sexhdja në rast mangësimi) dhe pastaj të jep selam në të dy anët. Mirëpo, nëse i kujtohet duke shkuar në sexhde, ai duhet të ulet, të thotë “rabbigfirli” e pastaj të vazhdojë namazin deri në fund dhe pasi të lexojë ettehijatin dhe duatë tjera, jep selam në të djathtë, i bën dy sexhde (kjo është sehvi sexhdja në rast shtese) dhe pastaj prapë jep selam në të dy anët dhe përfundon namazin.

3. Nëse njeriu dyshon në numrin e rekateve, mirëpo më shumë i shkon mendja për njërën mundësi, atëherë duhet të vazhdojë sipas atij mendimi dhe duhet të bëjë sehvi sexhden pas selamit në të djathtë. Por, nëse asnjërës mundësi nuk mund t’i jep peshë, atëherë duhet të vazhdojë sipas atij mendimi që është më pak dhe duhet të bëjë sehvi sexhden para selamit.

Këto rregulla i kam përfituar nga libri Sherhul Mumtië vll. 3 fq. 370-390 i dijetarit Muhamed ibën Salih el Uthejmin.

Për ta mbajtur mend më lehtë themi:

– Kur namazliu shton diçka në namaz, sehvi sexhden duhet ta bëjë pas selamit d.m.th. pasi të lexojë ettehijatin dhe duatë tjera. Argument për këtë rasti kur Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, gaboi dhe dha selam në rekatin e dytë të namazit të drekës apo iqindisë, e kur ia kujtuan, u çua së bashku me shokët, i fali edhe dy reqate dhe pas selamit në të djathtë i bëri dy sexhde, e pastaj sërish dha selam, por në të dyja anët. Shënon Buhariu nr. 482 dhe Muslimi nr. 573. Pra, kur Pejgamberi njëherë në rekatin e dytë dha selam, e pastaj prapë e vazhdoi namazin, selami që dha ishte shtesë në namaz, prandaj sehvi sexhden e bëri pas selamit në fund të namazit.

– Kur namazliu mangëson diçka nga namazi (ndonjë vaxhib), sehvi sexhden duhet ta bëjë para selamit, por pasi të lexojë ettehijatin dhe duatë tjera.

– Kur namazliu dyshon në namazin e tij, a ka shtuar apo pakësuar, atëherë duhet të veprojë siç e përmendëm te rregulli me numër 3.

Allahu e di më së miri. Allahu na ndihmoftë që sa më shumë ta përmendim dhe sa më mirë ta adhurojmë.