Kemi problem, motra ime e ka marrë fenë shumë seriozisht?!

Pyetje: Esselamu alejkum. Motra ime është e vetmja në familjen tonë që e ka marrë më seriozisht fenë, të gjithë falemi dhe agjërojmë por ajo thotë dua që sistemi im të jetë Islami andaj ne shpesh e bëjmë të qajë dhe shumë herë e detyrojmë të bëjë gjëra me zor. Ajo është në fakultetin e mjekesisë, neve në familje na tmerron ajo kur nuk jep dorë p.sh. vëllait të gruas sime nuk ia jep dorën, as tezakut tonë etj. dhe aty po biem në shumë konflikte, po na qeshin njerëzit, disa po thonë për motrën “ka luajtur” e neve goxha inat po na vjen edhe thotë dua të bëhem kirurge, qysh me punu ajo si mjeke, asaj i bie kur të bejë operacion me e pa pacientin po ashtu kur të kontrollon e në tjetrën anë dorë nuk jep, kam frikë se e humb edhe vendin e punës, brengosem për motrën.A bën të mi shpjegosh këto gjëra më mirë!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetm Allahut…

Ue alejkum selam vëlla i nderuar,

Motra jote qenka shans për të gjithë ju që ta kuptoni drejtë rrugën e shpëtimit. Ajo e paska kuptuar se kjo jetë është mundësi nëpërmjet të cilës fitohet bota e përhershme dhe për atë qëllim asaj nuk i bëhet vonë nëse dikush e ofendon, e shtyn të bëjë gjëra me zor etj. Kur ajo falet e di se Allahun është duke e madhëruar, kur ajo nuk i përshëndet meshkujt e huaj për dore e di se po ruan veten dhe ata nga gjynahu dhe kur ajo duron keqtrajtimin tuaj fiton shpërblimet e mëdha nga Allahu i Lartësuar.

Nëse edhe ju faleni dhe agjëroni, atëherë qenka lehtë ta kuptoni motrën tuaj. Për atë se Islami duhet të jetë sistemi i jetës tonë, mbështetemi në fjalën e Allahut: “O ju që keni besuar, hyni në Islam plotësisht”, ndërsa shokët e Pejgamberit tregonin dhe krenoheshin para të tjerëve se në fenë tonë kemi të sqaruar gjithçka, thoshin: “profeti na ka mësuar madje edhe rregullat e nevojtores”. E çka mbetet për gjërat tjera të përditshme?! Lidhur me përshëndetjen për dore, ajo e ka parasysh fjalën e Pejgamberit: “Të shpohet ndonjëri nga ju në kokë me gjilpërë të hekurtë është më mirë sesa të prekë me dorë një grua të huaj”.

Motrën tuaj ju e njihni më mirë dhe e dini nëse “ka luajtur” apo jo! Ju duhet ta përkrahni dhe jo të bëheni tifozë të sulmuesve të saj. Nga tradita jonë e normalisht edhe porositë islame është që kush keqtrajton dikë nga femrat ne i dalim në mbrojtje, e çfarë të të themi ty si një vëlla i saj?! Me çfarë ndërgjegje lejojmë që motra të qajë dhe të derdhë lot gjersa dëshiron të praktikojë mësimet nga Allahut. A thua në anën e kujt jemi, a pak kundërshtues dhe armiq ka kjo fe që tani edhe mes nesh të ngjallim presionin, ofendimin dhe luftimin?!

E di se për juve ato fjalë që i dëgjoni nga njerëzit dhe të afërmit janë të rënda dhe ndonjëherë të papërballueshme, mirëpo kjo është tradita e përhershme e atyre që kundërshtojnë ligjet e Islamit, edhe Pejgamberit i thoshin magjistar, i çmendur, nënçmues i prindërve, kundërshtues i “zotave”, i prapambetur dhe çka jo tjetër.

Për vendin e punës që shpreson se do ta punojë motra jote mos u mërzit sepse edhe ajo nuk mërzitet, ngase ajo dhe çdo besimtar tjetër e ka kuptuar fjalën e Allahut: “Kush i ka frikë Allahut, Ai i gjen rrugëdalje atij dhe i jep furnizim prej nga nuk e ka llogaritur”. Shpresoj që edhe ti të jesh prej tyre. Allahu jua mundësoftë ta kuptoni këtë fe si është më së miri dhe ju dhëntë mirëkuptim në familje.