Kam bërë zina, si të pendohem?

Pyetje: Jam një djal i ri i pa martuar, jetoj në diasporë, Allahut i pata dhënë besën që nuk kam me ba zina kurrë, por do të prej martesën, ama kam gabuar. Nuk di ç’të bëj përpos me thënë estagfirullah. Nuk jam i qetë kam shumë frikë nga dënimi ne kete bote dhe ne boten tjeter. A mundesh të më ndihmosh me ndonjë këshillë, te lutem?!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhërishëm, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë ndjekësit e tij.

Vëlla i nderuar dhe çdokush tjetër që e lexon këtë përgjigje:

Fillimisht, të këshilloj që assesi t’i këpusësh shpresat nga mëshira e Krijuesit Tënd, lexo çfarë thotë Allahu:

“Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Zumer 53).?

Zinaja në gjuhën shqipe përkthehet me fjalën kurvëri dhe nënkupton marrëdhëniet intime mes një mashkulli dhe një femre që nuk janë në lidhje martesore. Zinaja është një nga gjynahet dhe ndyrësitë më të mëdha. Allahu e ka bërë të ndaluar qartësisht në Kuranin Famëmadh:

„Mos iu afroni zinasë, se vërtetë ajo është ndyrësi dhe rrugë e keqe“ (Isra 32).

„Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë“ (Furkan 68-70).

Megjithëse është një mëkat aq i madh, saqë si ndëshkim për të në sheriat mund të mbërrijë edhe vrasja me gurë, Allahu i Mëshirshëm, Falësi i gjynaheve e la të hapur derën e pendimit për ata që bien në këtë ndalesë. Jo vetëm për këtë haram, por çfarëdo harami që ka bërë njeriu, nëse ndjen keqardhje në shpirt pse e bëri atë haram dhe bën një pendim të pastër si loti, Allahu gjithsesi do t’ia pranojë pendimin dhe do t’ia falë gjynahun.

Kushtet e pendimit nga cilido mëkat janë:

1 – Sinqeriteti, të pendohesh për hir të Allahut, për ta shuar zemërimin e Allahut ndaj teje.

2 – Heqja dorë nga harami dhe qëndrimi larg tij.

3 – Ndjenja e keqardhjes për mëkatin e bërë.

4 – Marrja e vendimit për të mos u kthyer kurrë në atë gabim.

5 – Të pendohesh përpara se të të mbërrijë shpirti në fyt.

Këtyre kushteve u shtohet edhe një kusht nëse mëkati ka qenë ndaj dikujt prej njerëzve:

6 – T’i kërkosh hallallëkun personit që i ke bërë padrejtësi.

Ti – siç thua – i ke dhënë Allahut besë për të mos e bërë atë gynah, mirëpo arritja deri në zina nuk ndodhë hëpërhë, sepse ajo paraprihet me disa etapa ku njeriu duhet të lëshojë pe për t’i shkelë normat fetare, sikurse: shikimi i pandërprerë, flirti, përshëndetjet me dorë, takimet duke u vetmuar, bisedat e dashurisë… derisa një ditë do ta sheh veten në fund të haramit.

Është reale frika jote se mund të dënohesh edhe në këtë dynja, sikurse të martohesh me një grua që gjithashtu ka bërë zina, gjë e cila është e papërballueshme për çdo burr; ndoshta je trishtuar nga ajeti: “zinaqaren nuk e marton kush përpos zinaxhiut apo mushrikut” porse kur të pendohesh tek Allahu, largohet nga ti mbiemri zinaxhi dhe do ta kesh të mundshme të martohesh me një grua të ndershme – me lejen e Allahut –.

Kur të lutesh tek Allahu, mos u lut vetëm të të shpëtojë nga dënimi, por lute Allahun të jesh prej xhenetlive, madje prej atyre që do të hynë në xhenetin më të lartë, xhenetul firdeus, sepse në këtë mënyrë të shtohet dëshira dhe ambicia për të punuar në atë drejtim. Allahu na ndihmoftë të gjithëve!

Pendohu pra tek Allahu, kujto ç’ke bërë dhe thuaj sa më shpesh: Estagfirullah – Kërkoj falje tek Allahu, bëj vepra të mira sa më shumë; namaz, agjërim dhe sadaka, sepse me veprat e mira Allahu t’i shlyen ato të këqijat. Allahu ka thënë:

“Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e errëta të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqiat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat” (Hud 114).

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

“Ki frikë Allahun kudo që të jesh, pas çdo të keqeje bëje një të mirë dhe sillu me njerëzit me moral të bukur”.

Pendimi jot do të jetë më i plotë nëse ti largohesh nga shkaqet që të kanë sjellë në atë haram, mbylli shtigjet e shejtanit që të kthejnë prapë atje, çkado qofshin ato shkaqe: shikim, buzëqeshje, përshëndetje, bisedë etj. – sepse të gjitha këto janë haram ngase janë shkaqe drejt haramit të madh – zinasë.

Dije se namazi dhe përmendja e Allahut me gojë dhe me zemër janë mburojë për ty nga shkelja e kufijve të Allahut. Allahu ka thënë:

“Lexoje atë që u shpallë në Libër dhe fale namazin, sepse vërtetë namazin ndalon nga e ndyra dhe e keqja, e përmendja e Allahut është më e madhe” (Ankebut 45)

Në një hadith thuhet se pejgamberi Jahja i kishte thënë popullit të vet: “Ju porosis që ta përmendni Allahun shumë, ngase shembulli i kësaj është sikurse shembulli i një njeriu që e kërkojnë armiqtë me shpejtësi dhe ai futet në një kështjellë të fortifikuar dhe e shpëton veten nga ata; robi më i mbrojtur se kurrë nga shejtani është atëherë kur e përmendë Allahun e Lartësuar” (Sahihul Xhami nr.1724).

Me keqardhje konstatoj se pyetjet si kjo janë të shpeshta, gjë e cila duhet të alarmojë të gjithë prindërit – që t’i martojnë djemtë e vajzat sa më herët, hoxhallarët – që të kenë aktivitete të posaçme për rininë, mësimdhënësit – të ruajnë amanetin që kanë në duar… dhe gjithkënd që dëshiron emancipimin e vërtetë të popullit.

Vetëm Allahu jep suksesin!