Jam në lidhje me një djal, por babai i tij pengon martesën tonë?!

Pyetje: selam alejkum. Jam një vajzë 19 vjeçare dhe dëgjohem me një djalë qe 3 vite, u kam tregu prindërve të mi dhe prindërve të djaloshit, mirëpo babi i djaloshit nuk është i pajtimit që të martohemi, babi i tij do që djali i vet të martohet me ndonjë pasanike, mirëpo djali nuk deshiron të martohet me dikë tjetër.Aështë kjo e drejtë, që babai po do të na prishë neve dashurinë?

Përgjigje: Ue alejkum selam

Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Para se të kërkoni gabimin te dikush tjetër është e udhës që të shihni veprimin tuaj nga fillimi. A është e drejtë që ju të mbani kontakt me mashkull të huaj? A mendoni se me një informim të prindit harami bëhet hallall? A është Allahu i kënaqur me këtë veprim tuajin?

Ti dhe çdo motër e sprovuar përgjigjuni vet, kurse unë ju kujtoj këto fjalë:

Allahu ka thënë: “Thuaji besimtareve le t’i ulin shikimet e tyre dhe le t’i ruajnë organet e tyre”. Nëse duhet të kihet kujdes me shikimin atëherë çfarë mund të thuhet për bisedat e dashurisë apo edhe diçka më e madhe.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kur të vetmohet një mashkull dhe një femër, i treti është shejtani”.

Ju duhet të pendoheni menjëherë nga ky veprim dhe të ndërprisni kontaktin me të cilin Allahu nuk është i kënaqur.

E nëse ai djalë, seriozisht është i interesuar që të martohet me ju, atëherë le të vijë në shtëpinë tuaj dhe le t’ju kërkojë juve nga babai juaj, nëse ju përgjigjeni pozitivisht dhe babai juaj pajtohet, atëherë thirrni një hoxhë që ta zyrtarizojë lidhjen tuaj dhe t’ju kurorëzojë ashtu siç Allahu është i kënaqur.

Nëse kështu veproni shpresoj të pajtohet edhe babai i djalit, mirëpo edhe nëse nuk pajtohet martesa juaj është e vlefshme dhe e saktë.

Allahu ju largoftë nga harami dhe ju dhëntë gëzim e lumturi në këtë botë dhe tjetrën.