“FETO, rrezik i madh për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, ka deklaruar se pret nga Shqipëria që të ndërmarrë hapa konkretë kundër shtrirjes së organizatës terroriste Fetullahçı (FETO) në këtë vend. Ai e ka cilësuar “organizatën e ngritur nga Fetullah Gylen, i cili është vetëm me shkollë fillore, si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Bayraktar ka folur në lidhje me shkollat e FETO-s në Shqipëri. Ai ka vënë në dukje se organizata terroriste FETO, në shkollat e saj në Shqipëri ka aktivitete të cilat mund të konsiderohen si një laborator i shpëlarjes së trurit. Bayraktar thotë se një sistem i tillë është një rrezik real për të ardhmen e fëmijëve shqiptar dhe Shqipërisë, ndërsa paralajmëron familjarët dhe shtetin që të marrin në konsideratë këtë situatë gjatë procesit të regjistrimeve të këtij viti.

Ambasadori ka rikujtuar se diplomat e atyre që përfundojnë studimet në shkollat e FETO-s nuk njihen nga Turqia dhe se as nuk do të njihen në të ardhmen. Ai shton më tej se nëse një nxënës përfundon studimet në këto shkolla, nuk do të ketë mundësi të vazhdojë studimet universitare në Turqi dhe se ata që kanë përfunduar universitetin e tyre këtu në Shqipëri, nuk do të cilësohen si të diplomuar në universitet.

Duke sjellë në vëmendje se veçanërisht në shkollat të cilat janë me konvikte ka aktivitete të errëta të FETO-s, Bayraktar në vijim ka thënë se FETO “i piketon” që në fëmijëri ata të cilët dëshiron që ti ketë nën kontroll në të ardhmen. Ai sjell në vëmendje gjithashtu se të ashtuquajturit kujdestarë, të cilët janë në detyrë në konviktet e tyre, zakonisht janë personat që mbajnë nën kontroll dhe zhvillojnë lidhjet e miqësisë me fëmijët, si dhe përdoren për etapën e parë të larjes së trurit të tyre.

”Punonjësit apo të ngarkuarit me punë në këto shkolla dhe konvikte shkojnë në shtëpitë e fëmijëve, duke ndërtuar një ‘sinqeritet dhe siguri’ edhe me familjet e fëmijëve nga Ulqini deri në Sarandë. Me këto vizita ata thonë ‘fëmijët tuaj janë të sigurtë tek ne. Ne po i arsimojmë, i mbajmë nën mbikëqyrje dhe i mbrojmë'”, thotë Ambasadori Bayraktar.

Ai duke theksuar se në fakt realiteti është krejtësisht ndryshe, shton: “Me kalimin e kohës në konvikte fillon edhe procesi i përgatitjes së dhënies së bazës për shpëlarjen e trurit të fëmijëve, duke iu dhënë atyre disa libra për të lexuar. Kur tek fëmija shikohen ndryshime të dukshme, atëherë atyre ju jepen libra që kanë të bëjnë me kryeterroristin Fetullah Gylen, libra këto që shpesh herë mbahen edhe pas dyerve të mbyllura. Ndërsa në finalen e këtij procesi ata iu shpjegojnë fëmijëve (nxënësve) se çfarë përfitimesh ka të jesh në një organizatë të tillë. Ndërsa procesi finalizohet me betimin e të rinjve për besnikëri ndaj FETO-s.”

Konviktet dhe shtëpitë, burim i përfitimit

Bayraktar thotë se gjatë kërkimeve në shkollat dhe konviktet e FETO-s e cila ishte shumë aktive në Turqi, por se aktivitetet e saj morën fund pas 15 korrikut, janë gjetur dhe konstatuar fakte tmerruese, ndërsa më pas shton: “Për shembull në shkollën e cila njihet si më e vjetra në Turqi, e cila ishte në Izmir, poshtë kuzhinës është gjetur një tunel rreth 250 metra i gjatë. Në të njëjtën shkollë, në katet e sipërme, janë gjetur dhoma të kamufluara pas dyerve me pasqyra. Për vetë faktin se kjo organizatë është e njëjtë në të gjithë vendet, duhen bërë hulumtime edhe për shkollat këtu si dhe kjo çështje duhet ndjekur nga afër.”

“Pasi një nxënës përfundon studimet në shkollat e FETO-s dërgohet përsëri në universitetet e tyre, duke u mbajtur vazhdimisht nën kontroll, në këtë mënyrë. Burimi kryesor i rekrutimit të të rinjve nga FETO, është ky sistem arsimor i cili nis nga kopshtet deri në universitet. Për ti bërë shkollat e tyre të larta më tërheqëse FETO jep edhe bursa stimuluese për nxënësit e shkollave të tyre të mesme. Ju jepen atyre mbështetje për konviktet dhe shtëpitë. Por realisht konviktet dhe shtëpitë e tyre janë aseti kryesor për fitimin e elementëve.”

Pas tentativës për grusht shteti nga FETO në Turqi, shkollat e tyre në Shqipëri e humbën cilësinë që kishin më parë, ndërsa këtë e pohojnë vetë prindërit e nxënësve, thotë Bayraktar dhe më pas shton:”Shumë familje i hoqën fëmijët e tyre nga shkollat e FETO-s pasi fytyra e tyre e vërtetë doli në pah, pas dështimit të tentativës për grusht shteti në Turqi. Ndërsa këto shkolla të cilat kanë humbur prestigjin e mëparshëm janë futur në një telash në periudhën e regjistrimeve. Për këtë arsye kanë nisur të bëjnë reklama të shumta dhe janë vënë në kërkim të legjitimitetit. Për shembull, duke përdorur nxënësit e shkollës dhe duke dhënë shuma të majme disa drejtuesve të disa emisioneve në vend, ata realizojnë programe të njëpasnjëshme. Ftojnë në një farë mënyrë drejtuesit e lartë të shtetit, ose njerëz me peshë në jetën e vendit duke bërë të mundur që njerëzit të kuptojnë se ‘shteti ju beson atyre’. Është e pritshme dhe e drejta jonë të kërkojmë nga drejtuesit e shtetit shqiptar që të bëjnë kujdes në këtë drejtim, duke patur parasysh ndjeshmërinë e partnerit të tyre strategjik, Turqisë. Duhet të bëjnë një zgjedhje, FETO apo Turqia.”

FETO është rrezik edhe për Shqipërinë

Ambasadori Bayraktar në vijim të fjalës së tij thotë se është shumë i lënduar për shkak të dëmtimit të imazhit të Turqisë dhe turqve në sytë e shqiptarëve për shkak të FETO-s dhe në vijim shton: “Shqipëria është vendi ku FETO është më aktivja në Ballkan. Disa institucione arsimore, shëndetësore, tregtare, fetare dhe të shoqërisë civile, janë kapluar nga virusi i FETO-s.”

Ndërsa duke vënë në dukje se ata janë ende në pritje që Shqipëria të hedhë hapa konkrete në drejtim të degëzimeve të FETO-s në Shqipëri, ambasadori i Turqisë në Tiranë shprehet në vijim se “Shumë institucione të FETO-s në shumë shtete u mbyllën ose drejtimi i tyre ndryshoi. Organizata terroriste e ngritur nga Fetullah Gylen i cili nuk është gjë tjetër vetëm se një person me shkollë fillore, është një kërcënim i madh edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.”

Bayraktar më pas ka shtuar se Fondacioni i Turqisë, Maarif, i cili është një institucion zyrtar i Turqisë, shumë shpejt do të hapë shkollat e vërteta turke në Shqipëri dhe se momentalisht është duke punuar për fizibilitetin e tyre. “Shkollat do të ofrojnë një shërbim arsimor shumë cilësor për të rinjtë shqiptar, me mësuesit më të mirë dhe mjetet më moderne dhe mbi të gjitha nuk do të kenë në asnjë mënyrë një synim të errët. Me këtë sistem të rinjtë shqiptar do të kenë mundësi të marrin një arsim më cilësor dhe më të lirë”, u shpreh për AA Bayraktar.

Së fundmi ambasadori Bayraktar ka rikujtuar se Ambasada e Turqisë në Tiranë ka bërë të mundur pengimin e përdorimit të simboleve dhe të flamurit turk në “shkollat turke të rreme”/AA/