Home / Lajme / Ende nuk dihet kur mbledhet Kryesia e Kuvendit

Ende nuk dihet kur mbledhet Kryesia e Kuvendit

Këtë javë Kuvendi i Kosovës do të duhej të niste sesionin pranveror. Në Sekretarinë e Kuvendit i thanë Radio Kosovës se tashmë kanë filluar takimet e komisioneve parlamentare.

Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës e thotë qartë që sesioni pranveror duhet të nisë të hënën e tretë të muajit janar, që i bie sot. Mirëpo, ende nuk ka datë të konfirmuar zyrtarisht për fillimin e sesionit. Analisti politik, Albert Krasniqi nga Instituti demokratik i Kosovës thotë se duhet krijuar klimë për thirrje të seancave.

“Është mirë që paraprakisht që të del kryesia e kuvendit të gjej një zgjidhje apo një kompromis politik me partitë politike në Kuvend dhe mos të na përsëriten skenarët e sesionit vjeshtor. Është më mirë që në fillim të qartësohen këto elemente sesa të zhyten në një kaos edhe me të thellë.

Edhe pse ende nuk ka një datë për thirrje të seancës së Kuvendit opozita në vazhdimësi po paralajmëron veprime edhe më radikale për t’a pamundësuar punën e Kuvendit. Megjithëkëtë rregullorja e punës së Kuvendit e thotë qartë që sesioni pranveror duhet të nisë të hënën e tretë të muajit janar, që i bie sot.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasnqi përmes një mesazhi i është përgjigjur Radio Kosovës, se tashmë kanë filluar takimet e komisioneve parlamentare ndërsa sa i përket takimit të kryesisë ai tha se i duhet referuar agjendës së Kuvendit të Kosovës, në faqen në internet. Aty nuk ka asnjë njoftim zyrtar për datat e mbledhjes së kryesisë.

Megjithëkëtë, sipas analistit Krasniqi puna e Kuvendit zyrtarisht fillon me seanca plenare, dhe çdo vonesë mund të kalkulohet si pasojë e klimës politike:

“Tanimë komisionet parlamentare kanë fillu me punën, një komision ka mbajtur mbledhje dhe tri janë caktuar për këtë javë,. Që është një lloj fillimi i punës, po këto komisione prapë po vazhdojnë të bojkotohen nga deputetet e opozitës. Kurse fillimi zyrtarë merret me fillimin e seancave parlamentare që nuk janë lajmëruar deri më tani. Kjo është në përgjegjësi të kryetarit të kuvendit që ta ftojë kryesinë dhe të caktohet seanca plenare, ndoshta mund të ketë kalkulime në këtë mes që të shihet edhe klima politike siç po rrjedh në mënyrë që të fillojë pa tensione.

Ndryshe, sipas të dhënave nga drejtoria për çështje ligjore dhe procedurale e Kuvendit të Kosovës, 22 projektligje kanë mbetur nga viti i kaluar për t’u shqyrtuar këtë vit.