DURIMI SI RRUGË DREJT SHPËRBLIMIT TË MADH

Ramazani është muaji i durimit. Durimi, siç ka ardhur në një hadith, është sinonim i Ramazanit. Nesaiu transmeton në Sunen se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: Agjërimi i muajit të durimit dhe tri ditëve nga çdo muaj llogaritet agjërim i tërë kohës.”[1]
Ramazani me adhurimet e tij arrin të reflektojë durimin dhe esencën e tij më së miri. Kjo për shkak se ai, siç është thënë, të tri llojet e durimit, arrin t’i përmbledh gjatë një muaji. E dini, durimi ndahet në tri pjesë:
1)     Durim për të adhuruar Allahun. Agjërimi nuk është tjetër vetëm se urdhër i Allahut, kështu që me të, realizohet kjo pjesë e parë e durimit.
2)     Durim ndaj mëkatit, pra për  të mos bërë mëkat. Përmbajtja e besimtarit nga ushqimi, pija, marrëdhëniet seksuale, e po kështu edhe përmbajtja nga fjalët e pista, hidhërimi, sharja, kacafytja, janë imazhe të durimit ndaj mëkateve.
3)     Durim ndaj caktimeve të Allahut. Njeriu përballon urinë dhe etjen, duke patur parasysh gjithnjë se ato janë caktime të Allahut.
Në mënyrë që edhe praktikisht Ramazanin ta shndërrojmë në muaj durimi, sot në fokus do të kemi rëndësinë e këtij tipari dhe virtyti për besimtarin.
Sinonime në efekte pozitive
Durimi dhe agjërimi janë sinonime edhe për efektet e njëjta që kanë. Ato frenojnë egon, epshin, hidhërimin dhe çdo sjellje tjetër të pamatur. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] duke na folur për agjërimin, thotë: Agjërimi është mburojë, kështu që (besimtari) le të mos flet fjalë të pista dhe të mos bëjë verime injorante. E. Nëse ndodhë të provokohet (fizikisht) apo ngacmohet (verbalisht-shahet), atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm! Unë jam agjërueshëm![2]
Pra, shihet qartë se efektet e agjërimit janë tamam durim.
Agjërimi dhe durimi sinonime edhe në shpërblim
Agjërimi dhe durimi kanë edhe një element tjetër që tregon se janë sinonime. Është shpërblim. Janë dy veprat e rralla, shpërblimi për të cilat është i pallogaritur. Thotë Allahu duke na folur për shpërblimin e durimtarëve:
…ndërsa të durueshmive u jepet shpërblimi i tyre pa masë!“ (ez-Zumer, 10)
Ndërsa Muhammedi [alejhis salatu ves selam] në një hadith kudsijj thotë duke cituar Allahun: Agjërimi më përket Mua dhe Unë shpërblej për të…”[3]
Durimi nuk është dobësi
Përkundrazi. Është tipar dhe virtyt i çmuar. Është gjëja që besimtarin e prezanton si të formuar. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: Besimtari që përzihet me njerëz dhe duron të metat – shqetësimet e tyre, është më i mirë se ai që nuk përzihet me ta dhe nuk duron të metat e tyre.”[4]
Kështu, të qëndrosh me njerëz, sidomos kur këtë e bën me qëllim të përmirësimit të tyre, edhe nëse ofendohesh nga ndonjë injorant, ose duron dhunën e ndonjë të marri, mos mendo se je nënvlerësuar. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] betohet se kjo nënkupton lartësim. Në një hadith të transmetuar nga Tirmidhiu qëndron: …dhe nuk ndodhë t’i bëhet padrejtësi e ai të durojë, e që Allahu të mos ia rrit nderin dhe krenarinë…”[5]
Kështu, nuk ka si durimi të mos jetë tipar i njerëzve të mëdhenj. Kur’ani na mëson se ka qenë tipar edhe i profetëve.
Ti (Muhammed) duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur…“ (el-Ahkaf, 35)
Durimi sekret i fitoreve
Durimi është çelës edhe për suksese në fusha tjera të jetës. Ai garanton fitoren sa herë që fjala kryesore i lihet atij. Allahu ka thënë:
Nëse ju përjetoni ndonjë të mirë, ata i dëshpëron ajo, e nëse ju godet ndonjë e keqe, ata gëzohen për atë. Po, në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe ruheni (mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t’u dëmtojë aspak. Është e sigurt se All-llahu e ka në dorë atë që punojnë ata.“ (Ali Imran, 120)
Dhe prej tyre Ne bëmë prijës që me urdhrin Tonë udhëzojnë, pasi që ata (që i bëmë prijësa) ishin të durueshëm dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur.“ (es-Sexhde 24)
Muslimi transmeton hadithin e Habbabit, i cili thotë: “Iu ankuam të Dërguarit të Allahut (për persekutimet nga idhujtarët), ndërkohë që ai kishte mbështetur kokën në një nga rrobat e tij nën hijen e Qabesë. Ne i thamë: A nuk do të kërkosh ndihmë për ne? A nuk do të lutesh për ne? Mirëpo ai tha: “Vërtet, tek ata (besimtarë) që kanë qenë përpara jush, merrej një burrë, hapej një gropë në të cilën e vendosnin atë. Më pas e merrnin sharrën, ia vendosnin në kokë dhe e ndanin në dy pjesë, pastaj ia rripnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Betohem në emër të Allahut, se Allahu do ta plotësojë këtë fe, saqë kalorësi do të udhëtojë nga San’aja deri në Hadremeut, duke mos patur frikë askënd përveç Allahut, apo ujkun për kopenë e vet, mirëpo ju nguteni.”
Përmbyllje
Durimi nuk do të jep frytet e tij nëse nuk trajtohet tamam si një adhurim. Pra, nëse nuk përfillen kushtet, atëherë, vlera e tij mund të humbet fare. Kështu, përmbylljen e kësaj ligjërate do të doja ta bëj me disa prej kushteve të durimit që garantojnë pranimin dhe shpërblimin për të:
1)        Nijjeti. Që të durohet vetëm për hire të Allahut, ngase, nuk llogaritësh i fortë nëse nuk hakmerresh vetëm pse je frikacak. Allahu ka thënë:
Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam ata kanë dhënë fshehtas e haptas dhe me të mirë e largojnë të keqen. Të tillët kanë përfundim më të mirë.“ (err-Rra’du, 22)
2) Durimi të jetë në kohën kur ti sprovohesh me diç. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
Durimi është në momentet e para të goditjes – sprovimit.[6]
 

[1] Albani thotë se është autentik.

[2] Buhariu.

[3] Transmetim unanim. Teksti është i Buhariut.

[4] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani thotë se është autentik.

[5] Albani thotë se është autentik.

[6] Transmetojnë Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh.