A mund ta jap zeqatin për vitet që kanë kaluar?

Pyetje: selamu alejkum,një njeri që deri sot nuk ka dhënë kurrë zeqat, a mundet me i dhan tash krejt përnjëherë? Allahu ju shperbleftë.

Përgjigje: Ue alejkum selam

Dhënie e zeqatit është një nga pesë shtyllat e Fesë dhe secili besimtar që posedon pasurinë e caktuar duhet ta nxjerrë nga ajo sasinë e caktuar me sheriat.

Pra, nëse një njeri zotëron pasuri që arrin vlerën e 595 gram argjend apo 85 gram ar dhe ajo pasuri nuk bie brenda vitit ndër atë vlerë, atëherë ai detyrohet që nga ajo pasuri të nxjerrë 2.5% zeqat.

Zeqati duhet të jepet posa të plotësohet viti hënor p.sh. nëse vitin e kaluar ka dhënë zeqatin në muajin Rebiul Evel, ai këtë vit duhet ta jep zeqatin gjithashtu në muajin Rebiul Evel, ndërsa vonimi i dhënies së zeqatit është nga haramet e mëdha, sepse Allahu ka thënë: “E, ata që e grumbullojnë arin dhe argjendin dhe nuk e shpenzojnë në rrugën e Allahut (siç janë urdhëruar), paralajmëroi me dënim të dhëmbshëm,në Ditën kur do të digjen në zjarrin e xhehennemit, e me të do të damkoset balli i tyre, anët e tyre dhe shpina e tyre. (U thuhet atyre): “Këtë e keni mbledhur për vete; andaj, shijoni atë që e grumbulluat!”(Teube 34,35);gjithashtu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Atë njeri që Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai nuk e jep zeqatin, pasuria e tij në Ditën e Gjykimit do t’i personifikohet në formë të gjarprit helmues që do ketë dy pika të zeza dhe pastaj do ta mbështjellë mbështjellë (shtrëngojë) personin derisa ta kapë për faqet e tij dhe do t’i thotë: Unë jam pasuria jote, unë jam thesari yt... pastaj Profeti lexoi ajetin: “Kurrsesi le të mos mendojnë ata se është mirë për ta që bëhen dorështrënguar e koprracë me dhuntitë që ua ka dhënë Allahu atyre; jo, kjo është keq për ta. Padyshim, koprracia do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kijametit. Të Allahut janë trashëgimi i qiejve dhe i Tokës, dhe Allahu e di mirë ç’punoni ju.” (Ali Imran 180).

Prandaj, nëse një person ka zotëruar atë pasuri vite me radhë dhe nuk ka dhënë zeqatin duhet të pendohet për atë gjynah dhe të nxjerrë zeqatin për të gjitha vitet e kaluara që nuk ka dhënë zeqat. Allahu e faltë dhe i ndihmoftë që pasurinë e tij ta ruajë nga harami.