A lejohen paratë e sigurimit dhe a duhet të jap zekat për to?

Pyetje: A e kam borxh të jap zekat, jetoj vet me dy fëmijë, burri më ka vdekur. Kam 15 000 euro në bankë,  mi ka dhënë banka pas vdekjes së burrit, sepse kemi paguar sigurim në çdo 3 muaj për raste aksidenti apo vdekje, e tash banka mi ka dhënë ato të holla. Desha të di a i kam haram ato dhe a duhet te jap zekat për keto para? Allahu ju sherbleftë!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Zekati është farz i cili lidhet me pasurinë dhe jo me gjendjen familjare, kështu që gjithherë që plotësohen kushtet e zekatit, duhet paguar zekati pavarësisht ajo pasuri nëse është e ndonjë burri të fortë, e një gruaje vejushe, e një jetimi etj.

Kushtet e zekatit janë:

1. arritja e shumës së caktuar për tu konsideruar i pasur fetarisht (nëse ke diku mbi 450 euro) dhe

2. moszbritja e asaj shume brenda një viti hënor.

Nëse këto i plotëson një besimtar, ai detyrohet që në fund të vitit nga ajo pasuri të llogarisë 2.5% dhe ato t’ia jep zekat kategorive të caktuata fetarisht.

Në rastin tuaj, problematik është çështja se të hollat i keni fituar nga kompania e sigurimit (banka), pra a janë hallall ato që i keni tashmë në bankë?

Përgjigje: Sigurimi parimisht është haram dhe nuk lejohet sepse ai është një lloj kumari dhe bashkëpunimi në gjëra të këqija. Por, nëse sigurimi është i domosdoshëm me ligjet e shtetit ku jetoni dhe ju keni qenë të detyruar ta paguani atë sigurim, përndryshe do të kishit probleme me ligjin, atëherë të hollat që ju takojnë në raste aksidenti apo vdekjeje janë hallall për ju. Mirëpo, nëse keni bërë ju ndonjë sigurim vullnetar, pra, që nuk jua ka detyruar shteti, atëherë të hollat që i merrni nga kompania përkatëse e sigurimit (banka) i keni haram, përveç atë sasi që e keni paguar ju paraprakisht, d.m.th. aq sa keni dhënë përpara vdekjes së burrit, ato i llogaritni dhe aq të holla ju takojnë t’i ndalni për vete nga ajo pasuri. Ndërsa, pjesën tjetër e shpërndani në raste bamirësie, përveçse nëpër xhamia.

Përfundim: Nëse ato të holla që keni janë nga lloji i parë i sigurimit (i detyrueshëm) atëherë të hollat i keni hallall dhe duhet të jepni zekat për çdo vit. Kurse, nëse janë nga lloji i dytë i sigurimit (vullnetar) atëherë mund t’i mbani vetëm aq euro sa keni paguar deri tani, ndërsa pjesa tjetër nuk është hallall për ju.

Allahu e mëshiroftë burrin tuaj dhe e ruajtë familjen e tij nga çdo e keqe!