A ka hatme dhe jasina për të vdekurit?

Pyetje: Hatmet dhe jasinat a mund tu këndohen të vdekurve apo vetëm të gjallëve. Zoti ju shperbleftë!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe lavdërimi qofshin mbi Muhamedin…

Leximi i një pjese të Kuranit apo i tërë Kuranit dhe dhurimi  sevapeve të fituara dikujt tjetër qoftë i gjallë apo i vdekur është veprim që nuk është regjistruar në Sunetin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam e as në praktikën e gjeneratave të para të muslimanëve.

Prandaj, me leximin e Kuranit përfiton i gjalli, ai që është duke e lexuar, sepse duke lexuar Kuranin ai bën ibadet, mediton rreth fjalëve të Kuranit, i shtohet imani, shërohet dhe lirohet nga ngacmimet e shejtanit, udhëzohet drejt punëve të hairit etj. Këto mirësi dhe sevape ai i fiton për vete dhe nuk mund t’ia dhurojë askujt.

Dhurimin e sevapeve nga Kurani nuk e bëri as Pejgamberi e as shokët e tij që d.m.th. se ai veprim nuk është në pajtim me fenë islame. I Dërguari, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush bën një vepër që nuk është nga Feja, ajo është e refuzuar”.[1]

Dijetari Ibën Uthejmin, përmend se dhurimi i sevapeve nga leximi i ka dy të këqija:

Një: Duke ia dhuruar dikujt sevapet, në njëfarë mënyre je duke thënë se ti ke siguruar sevapet e tua të nevojshme, ke aq shumë sevape për vete, se xhenetin e ke të garantuar, se gjynahet i ke të falura dhe tash nuk ke nevojë për të tjera, prandaj po ia dhuron të tjerëve. E kështu nuk do thoshte asnjë musliman!

Dy: Kur ia dhuron dikujt sevapet, normalisht atë e bën me qëllim që t’i ndihmosh atij. Por ne pyesim: Ku e di ti se ai ka nevojë për sevape nga ti? Ndoshta Allahu në momentin e fundit ia fali të gjitha gjynahet dhe ai tashmë po kënaqet me mirësitë në jetën e berzahut? A nuk është ky një mendim i keq për personin e vdekur?!

Nejse, ka dijetarë që e kanë lejuar dhurimin e sevapeve duke e krahasuar sevapin e leximit të Kuranit me sevapet e sadakasë, lutjes dhe haxhit, por mendimi i vërtetë është mendimi i parë, sepse në ibadete krahasimi nuk lejohet, në ibadete mbështetemi plotësisht në atë që thonë tekstet fetare.

Kujdes! Edhe këta që e kanë lejuar, askush prej tyre nuk ka lejuar të bëhet çmimore ku “shiten” sevapet e Jasinit, hatmes, etj.

Ju përkujtojmë se i vdekuri mund të përfitojë nga leximi i Kuranit nga dikush, nëse ia ka mësuar atij leximin apo e ka ndihmuar që të mësojë Kuranin. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kur të vdesë njeriu, i ndërpritet puna (shpërblimi) përveç nga tri rrugë: sadakaja rrjedhëse, dija me të cilën njerëzit kanë dobi dhe fëmija i hairit i cili lutet për të”.[2] Nga ky hadith mësojmë se ai përfiton edhe nga sadakaja që ka dhënë apo që japin pasardhësit e tij në emër të tij, nga dija që ka lënë pas vete dhe nga lutjet që i bën fëmija për prindin e tij.

Thashë që përfiton nga sadakaja e pasardhësve të tij kur e japin në emër të tij, duke u mbështetur në atë që përcillet se nëna e Sad ibën Ubades kish vdekur derisa ai nuk ishte në shtëpi dhe ai pyeti: O Resulullah, më ka vdekur nëna derisa nuk isha në shtëpi, a ka ajo ndonjë dobi nëse unë jap sadaka në emër të saj? “Po” – i tha Pejgamberi! Atëherë, ti je dëshmitar që kopshti im është sadaka në emër të saj! – tha Sadi, radijallahu anhu.[3]



[1] Muslimi nr. 1718

[2] Muslimi nr. 1631

[3] Buhariu nr. 2756