A është haram me vendosë gur në dhëmbë?

Pyetje: A është haram me vendosë gur në dhëmbë?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon Allahut…

Me siguri keni për qëllim vendosjen gurëve të çmuar, gurëve me ngjyrë apo kristaleve të ndryshëm në dhëmbë me qëllim zbukurimi.

Zbukurimi në përgjithësi është dy lloj:

1. Për të larguar ndonjë shëmti me të cilën njeriu ka lindur ose është aksidentuar. Me fjalën shëmti nënkuptojmë pamjen e keqe të një pjese të trupi apo organi, pamje që përjashtohet nga normalja. Ky lloj zbukurimi është hallall. Lidhur me këtë dijetarët kanë argumentuar me rastin e shokut të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, të cilit ia kishte prerë dikush hundën dhe ai kërkoi që të vendosë një hundë të artë, dhe Pejgamberi, ia lejoi atë veprim.

2. Ndërhyrja për të ndryshuar një gjë normale në trupin e njeriut, siç është vendosja e gurëve në dhëmbë, heqja e vjetullave, tatuazhi, dhe të ngjashmet me këto. Ky lloj zbukurimi është i ndaluar sepse indirekt shpreh mospajtim me krijimin e Allahut i cili ka thënë: “Njeriun e krijuam në formën më të bukur” dhe në anën tjetër bie nën ndikimin e shejtanit i cili i tha Allahut: “Ai (shejtani) tha: Unë, doemos do të bëj për vete një pjesë të caktuar të robërve Tu; dhe unë doemos do t’i shpie ata në rrugë pa rrugë dhe me siguri do t’i joshi me shpresa të kota, dhe me siguri do t’i urdhëroj që t’u prejnë veshët shtazëve, e pastaj me siguri do t’i urdhëroj madje të ndërrojnë krijimin e Allahut”. Pra, ai tregoi se ndër metodat e tij në devijimin e njerëzve është urdhërimi që ata të mos pajtohen me krijimin e Allahut dhe të përpiqen ta ndryshojnë atë.

Allahu na bëftë të kënaqur me atë që Ai na ka dhënë.