A është hallall të kem dy identitete? Një të vërtetë dhe një fals?

Pyetje: Selam alejkum! A është hallall të kem dy identitete? P.sh. të marr një pasaportë të një shteti tjetër duke mos jetuar atje por me qëllim që me të, të leviz lirshëm jashtë shtetit,që të shkoj të punoj në një shtet tjetër.Aty ndoshta ndërroj emrin dhe mbiemrin,por ajo është vetëm për komunën, kurse te njerëzit njihem me emrin që mbaj tani.Allahu ju shperbleftë.

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Ue alejkum selam

Drejtësia në Islam është vlerë absolute dhe asnjëherë nuk nëpërkëmbet. Allahu thotë: “O ju besimtarë, kini frikë Allahun dhe bëhuni prej të vërtetëve”; pas këtij ajeti Ibën Kethiri thotë: “thoni të vërtetën dhe përmbahuni tek ajo që të jeni të sinqertë, të shpëtoni nga rreziqet dhe t’ju jep Allahu rrugëdalje për problemet tuaja” po ashtu Allahu thotë: “sikur të ishin të sinqertë do të ishte më mirë për ta”.

Hasani, i biri i Alijut, radijallahnu anhuma, thotë: Nga Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, kam mbajtur mend këtë: “Hiqu nga ajo që të lëkundë drejt të sigurtës, vërtetësia është rehati ndërsa gënjeshtra lëkundje” (Tirmidhiu nr. 2520)

Së këndejmi, mendoj se të kesh dy identitete me qëllim të përfitimit material është gënjeshtër ndaj njerëzve apo autoriteteve dhe muslimani i mirë nuk e vepron atë, pavarësisht a dëshiron të mashtrosh ndonjë shtet të muslimanëve apo një tjetër të jomuslimanëve, përveç nëse e ndërron emrin dhe vendos që të mbash emrin e ri, duke e bërë publik identitetin e ri për të gjithë.